Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), në kuadër të angazhimeve të tij institucionale dhe aktiviteteve që ndërlidhen me procesin zgjedhor për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025, ka organizuar një punëtori njëditore me qëllim të diskutimit dhe planifikimit të objektivave dhe aktiviteteve të Planit të Punës për vitin 2026.
Gjatë punëtorisë u analizuan aktivitetet kryesore që do të përfshihen në Planin e Punës së PZAP-it për vitin 2026, me fokus të veçantë në analizimin e gjetjeve nga proceset zgjedhore të vitit 2025, si vit zgjedhor, për procest zgjedhore për Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe për procesin e Zgjedhjeve Lokale, të zhvilluara në dy raunde zgjedhore. Po ashtu, u diskutua për përgatitjen e raportit për të gjitha proceset zgjedhore dhe aktivitetet e PZAP-it për vitin 2025, dhe dërgimin e tij në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), i cili duhet të bëhet deri në fund të muajit shkurt 2026. Gjithashtu, u trajtuan çështje që lidhen me ridizajnimin e ueb-faqes së PZAP-it, azhurnimin e bazës së të dhënave për ankesa dhe vendime, si dhe aktivitete të tjera me rëndësi për funksionimin efikas të PZAP-it.
Në këtë punëtori mori pjesë edhe përfaqësuesja e OSBE-së, e cila prezantoi perspektivën e OSBE-së lidhur me bashkëpunimin ndër vite ndërmjet dy institucioneve, si dhe mundësitë për vazhdimin e mbështetjes për aktivitete të caktuara të Planit të Punës së PZAP-it, të cilat mund të realizohen në bashkëpunim.
Në përfundim të punëtorisë, u nxorën rekomandime që Plani i Punës për vitin 2026 të finalizohet dhe të miratohet në mbledhjen e ardhshme të PZAP-it.

